Interviste e vellait te Liamit




Flet i vëllai, Ariel Osmani: Nuk ka qenë i qëndrueshëm me femrat, por me Evelin ka vendosur të martohet.
Mban statusin “i divorcuar”, dhe i vetmi që në skedën prezantuese të “Big Brother 5” ka pohuar se është në lidhje serioze me një vajzë gjermane nga Këlni. Emrin e saj, 33-vjeçari nga Tirana e zbuloi javën e kaluar, ndërkohë që deri tani mbeten enigmë detajet e vajzës me të cilën ai pohon se ka rënë në dashuri. Ariel Osmani, vëllai 6 vite më i vogël i Armando Osmanit (Liamit), zbulon për herë të parë detaje të jetës private të këtij banori të BB5, në një intervistë për “Panorama Plus”. Ai tregon çfarë di për divorcin e vëllait të tij më të madh, lidhjen 6-mujore me gjermanen Evelin Pollok, dhe strategjinë e Liamit për të fituar me çdo kusht 100 milionët.


Liami është vëllai yt 6 vite më i madh. Sa afër apo sa larg njëri-tjetrit keni qenë këto periudhë të jetës së tij në Gjermani?
Në fakt, ne jemi larg njëri-tjetrit prej gati pesë vitesh, që pas zhvendosjes së tij në Gjermani. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur komunikim më së shumti në distancë, por natyrisht gjithmonë kemi komunikuar për jetën tonë dhe atë çfarë kemi përjetuar secili nga ne. Edhe pse me një diferencë moshe prej 6 vitesh, kemi marrëdhënie si shokë me njëri-tjetrin, më shumë se si vëllezër.


Ndonjëherë vëllai i vogël dëshiron të ndjekë rrugën e vëllait të madh. A e ke admiruar Liamin dhe ke dashur t’i ngjash në ndonjë aspekt?
Patjetër që Liami më ka imponuar mua pasionin për muzikën. Në s’kemi asnjë muzikant në familje, por Liami më ka injektuar pasionin e madh që ka për muzikën, dhe unë e kam imituar vazhdimisht. E mbaj mend si tani kur ai dëgjonte “Prodigy” në vitet ‘96-‘97, dhe kur bënte muzikë me grupin e tij në atë kohë që mbante emrin “The space” në Tiranë. Ka qenë një grup prej katër këngëtarësh, por që u shpërbë me largimin e tyre nga Shqipëria. Ëndrrën e tij e vazhdova dhe unë, ndërsa merrem me muzikë rock, dhe prej një viti jam solist i një grupi të ri që kemi krijuar me tre muzikantë të tjerë në Tiranë.


Në lojën e “BB5” Liami ka folur për hobet e tij, që janë dhe futbolli apo ping-pongu. Po ti si do ta përshkruaje Liamin në karakterin e tij, luan ai në jetë për të arritur atë që do?
Liami edhe në jetë është identik ai “lojtar” që shohim aty brenda. Të them të drejtën, s’kam vërejtur asnjë sjellje ndryshe në këtë lojë, që të mund të them që e ekzagjeron me sjelljen, po e tepron me fjalët, apo ku di unë. Pra, dua të them që në botëkuptimin e Liamit jeta është lojë që duhet fituar. Unë e kam parë që të zhvishet fare edhe në plazh, siç e ka bërë në Tropikal, ku kemi qenë bashkë dhe e ka bërë se ky është tipi i tij. Çdo gjë që po e bën në BB, ai e bën dhe në jetën reale pa problem, sepse ashtu është natyra e tij, s’ka komplekse dhe s’ka tabu.


Është tipi i aventurave dhe i ekstremeve? Si sillet në shoqëri?
Po, është tipi i aventurave dhe ekstremeve e, nëse bëhet fjalë për shoqëri, ai nuk lë njëri që të mërzitet kurrë. Është tip energjik dhe në aksion gjithë kohës.


Pak më sipër folët për natyrën e tij të çlirët. Si i ka ai marrëdhëniet me femrat?
Unë nuk i di të gjitha historitë që ai ka jetuar me secilën femër. Si të gjithë dhe ai ka pasur histori të vetat, dhe është ndarë. Di që ka pasur shumë lidhje në jetë, midis të cilave vajza shqiptare, apo të tjera që ka njohur në Stamboll e në Gjermani.


Është Liami tipi që krijon lidhje të gjata apo flirte?
Është dhe i flirteve dhe i lidhjeve të gjata, sipas momentit apo impresionit që mund t’i lënë vajzat që takon. Por e di që në përgjithësi e merr lehtë dhe nuk është djali që thotë që do martohem tani dhe do ta mbyll me kaq.


Ka vuajtur ndonjëherë ai për dashurinë, si e ka përjetuar?
Jo, me sa di unë nuk vuan për dashurinë. I përjeton lidhjet pa u zhytur në to. (qesh)
Ndërkaq ai ka pohuar se është në lidhje serioze me një vajzë nga Këlni. Çfarë di ti për këtë vajzë?
E di që për momentin e ka seriozisht me vajzën nga Këlni, që ka përmendur dhe që quhet Evelin Pollok. Ajo është bionde e bukur që i ka pëlqyer e i përshtatet si tip, me sa më ka folur para hyrjes në BB. Evelin është 23 vjeç dhe i ngjan shumë Liamit si karakter. Ajo është vajzë gallatë, nuk është nga ato vajzat që rrinë mbyllur në shtëpi. Është tip për Liamin.


Ku janë njohur dhe çfarë plani ka Liami për Evelin?
Unë personalisht nuk e kam takuar asnjëherë, përveçse kam folur në skype. Me sa më ka treguar Liami, ajo është femër simpatike, dhe atij i ka pëlqyer shumë trupi i saj, që thotë se e ka perfekt. Di që janë njohur në një rreth miqësor para gjashtë muajsh, dhe kanë të dy pasion të përbashkët muzikën. Kam përshtypjen se Liami ka qëllim martesën me Evelin, pasi në kaq kohë nuk e kam dëgjuar të flasë me aq dashuri dhe respekt për një femër.


Ka qenë dakord Evelin që i dashuri i saj të hynte në një lojë si BB, aq më tepër që ata kanë vetëm 6 muaj që njihen?
Patjetër që ka qenë dakord dhe është një nga mbështetëset e tij më të forta në këtë lojë. Por ajo, si një gjermane e zgjuar që është, e ka përdorur strategjinë e saj femërore për ta vënë Liamin para detyrimit dhe përgjegjësisë. Ajo i ka shkruar një letër Liamit para hyrjes së tij në lojë, ku i drejtohet me fjalët “Bëj çfarë të duash aty në lojë, vetëm kthehu tek unë në Gjermani”. Ai e ka përmendur brenda shtëpisë dhe ajo që i ka thënë e ndalon pak Liamin të jetë i lirshëm në lidhje me femrat aty, pasi e vret ndërgjegjja t’ia bëjë një gjë të tillë. Mendoj që është treguar e zgjuar pasi me këtë letër, ku duket sikur i jep liri, në fakt i shkakton një efekt psikologjik, që me fjalë të tjera përkthehet “Mos më tradhto!”Liami e ka marrë letrën e saj me vete në valixhe.


Dhe po vihet re fakti që ai s’po krijon afrimitet me asnjë femër në lojë, por me tipin që ka edhe mund ta bënte. Është Evelin vërtet arsyeja e këtij vetëkontrolli, apo atë s’e tërheqin femrat aty?
Për mendimin tim jo se s’i kanë pëlqyer femrat e BB5 me të cilat po bashkëjeton, se për shembull si fizik mund t’i pëlqejë Françeska, Anila edhe ndonjë tjetër aty, por të kuptohemi, mund t’i shikonte thjesht për ndonjë flirt. Se për lidhje të vërtetë s’bëhet fjalë, pasi jam i sigurt që asnjëra prej tyre s’e tërheq si tip.


Atëherë qoftë dhe për flirt, pse nuk po afrohet me ndonjërën prej tyre?
Ndoshta është në garë dhe mendon që këtu jam në lojë dhe s’kam ardhur për të krijuar lidhje. Është pak absurde që të futesh aty dhe të krijosh lidhje, pasi krijon në publik opinionin e një personi që në jetën reale s’ka pasur mundësi të krijojë një lidhje. Mua më duket se ata që lidhen në atë shtëpi i ulin pikë vetes. Liami këtë ide kishte, i vuri qëllim vetes që çfarëdo femre të njihte aty brenda, nuk do të krijonte lidhje.


Liami preferon biondet apo brunet?
Me sa di unë, është i afeksionuar pas biondeve.


Ndërkohë që ai ka qenë i martuar, duke krijuar kështu profilin e djalit që edhe pse është vetëm 33 vjeç,  ka jetuar vërtet. Çfarë di ti për divorcin e tij?
Unë di që Liami ka qenë i martuar në vitin 2005, dhe bashkë me ish-bashkëshorten Ingrid, u larguan drejt Gjermanisë. Kanë qëndruar 1 vit e gjysmë të martuar dhe pastaj janë ndarë në mirëkuptim të plotë. Ndarja erdhi pasi e panë të dy që lidhja nuk po ecte. Por se si e kanë përjetuar, nëse kanë vuajtur apo jo, për këtë duhet pyetur vetëm Liami.


Rikthehemi te loja e BB5, pse mori këtë vendim Liami për të hyrë në BB, për para apo për famë?
Liami ka hyrë për paratë, dhe për t’i fituar ato ai ka strategjinë e vet. Njëherë hyn në aksion, pastaj tërhiqet në botën e tij, pastaj shpërthen me energjinë që zotëron. Ai po jeton aty brenda siç jeton edhe jashtë. Për sa i përket pyetjes suaj, përveç parave ai ka qëllim të reklamohet si DJ, që pas daljes të mund të jetë i ftuar në club-e të ndryshme.


Pas daljes, ai ka plan që të qëndrojë në Shqipëri, apo të rikthehet tek Evelin në Gjermani?
Mendoj që do të bëjë një jetë mes Tiranës dhe Këlnit. Qëllimi i tij është të sjellë DJ të njohur botërorë në Shqipëri, apo ndoshta të hapë një club të vetin, ku të performojë dhe vetë fundjavave.


Ka shoqëri Liami në Tiranë që e mbështet në këtë lojë? Në përgjithësi ka qenë djalë që kalonte kohë me shoqërinë në lagjen e tij?
Ka shoqëri të vjetër, por pak, pasi Liami është larguar herët nga Shqipëria. Po ashtu nuk ka qenë çun lagjeje që të kalonte kohë me shokët e lagjes, por gjithmonë një djalë që i krijonte shoqëritë kudo ku gjente tipat që i përshtateshin.


Ai ka jetuar shumë në udhëtim, çfarë aventurash ka bërë në jetën e tij?
Nuk di ndonjë aventurë të jashtëzakonshme, por di që është tip aventurieri. Aventurat ai i ka përjetuar me shoqërinë e tij, me mua jo.


Duket se ka hyrë në BB5 me synimin e qartë për të fituar. Si e sheh në lojë dhe cilët nga banorët janë rivalet e tij të fortë?
Unë mund të them se Liami karakterizohet nga energjia dhe fantazia, dy armë të forta për të qenë protagonist kryesor në këtë lojë. Si konkurrentë të tij më duken Klaudia dhe Ermali, që bashkë me Liamin mendoj se do të jenë në finale.


Post a Comment

  © Blogger template Shush by Ourblogtemplates.com 2009

Back to TOP